Wednesday, February 11, 2009

Biografi e nderit te kombit : Fan Nolit

marre nga www.shekulli.com.al

Kur “Vatra” bëri paqe me Mbretin. Faqe nga historia e mërgatës shqiptare në SHBA

Nga vizita e Anthony dhe Kristo Athanas në Kanë të Francës tek Mbreti Zog (pas refuzimit të Ambasadës Shqiptare në Paris) e deri tek darka madhështore, që i shtroi “Vatra” Mbretit Leka, në korrik 196,7 në Anthony Pier 4, në Boston

Marrëdhëniet e Federatës Panshqiptare “Vatra” me monarkinë shqiptare, nuk kanë kaluar si në vaj. Shpesh ato janë karakterizuar nga ngrica të gjata, veçanërisht në vitet 1922-1939.

Kundërshtari numër një i Mbretit Zog, ishte një ndër themeluesit dhe shtyllë e “Vatrës”, Fan Noli, i cili arriti që ta zbresë nga froni ish-kryeministrin matjan, pa u fronëzuar ende si mbret i shqiptarëve në qershorin e 1924-s, duke shfrytëzuar një rebelim dhe zemëratë popullore pas atentatit që iu bë Avni Rustemit, vrasësit të Esad Pashës (daja i Mbretit Zog).

Mirëpo pas 6 muajsh, republikanit Noli nuk i mbeti asgjë tjetër, veçse të merrte valixhet dhe, në ikje e sipër, t’i binte fyellit (flautit), duke ia lënë pushtetin kundërshtarit të tij, Ahmet Zogut.

Bashkë me mbështetësit e tij kapërceu Adriatikun, duke marrë rrugën e hidhur të mërgimit, për të mos u kthyer më në Shqipëri. Në botimin e fundit, “Jeta e Nolit” (2006), Nasho Jorgaqi sjell edhe një detaj:

“Peshkopi nuk u bë shumë merak se po humbte pushtetin, por se në nxitim e sipër kishte harruar që të merrte rubairat e përkthyera”…Për të zbrazur inatin, ish-kryeministrit nuk i mbeti gjë tjetër, veçse të thërrasë në ndihmë muzën e poezisë dhe të qëllojë në distancë me kamxhikun e satirës së vet kundërshtarin. I dënuar me vdekje në mungesë, Noli kaloi çaste të vështira; pesë vjet jetoi në mërgim, thënë më shqip, në arrati, nga vitet 1925-1930, ku pjesën më të madhe të kësaj kohe e kaloi në Vjenë.

Është kjo koha “revolucionare” e Nolit.

I njohur për diplomacinë e trajtimit të kundërshtarëve, mbreti Zog do të zgjidhte shtyllën tjetër të “Vatrës” si aleat, dikur kundërshtar tij i flaktë, mikun e Nolit, eruditin Faik Konica, që të përfaqësonte Shqipërinë në Washington, si ambasador i parë shqiptar në SHBA. Kundërshtari u kthye në mbrojtës i mbretit, aq sa Noli, në inat e sipër, e akuzonte.

Dikur, në vitin 1920, kur Noli shkoi në Shqipëri si deputet i “Vatrës” dhe në krah të Partisë Popullore, vendosi aleancë me Ahmet Zogun, Konica e pat këshilluar që “të mos bënte aleancë me nepërkën Ahmet Zogu”.

Pas ikjes, siç e ka dëshmuar me fakte Prof. Nasho Jorgaqi, Mbreti Zog e dënoi me vdekje Nolin rebel, madje jo një herë, por dy.

E dënoi në mungesë. Duke iu referuar fakteve dhe përfundimeve të Prof. Nasho Jorgaqit, studiuesi shqiptaro-amerikan, Prof. Peter Prifti, i komenton kështu kthesat e marrëdhënieve të dy njerëzve të mëdhenj të Shqipërisë:

“Marrëdhëniet e Nolit me Zogun u zhvilluan gjatë gati tri dekadave, dhe patën kthesa të çuditshme. Prof. Jorgaqi na informon se pas arratisjes së Nolit, Zogu e dënoi atë me vdekje in absentia, jo njëherë, por dy.

Ai thotë gjithashtu se Noli e kritikoi Traktatin Italo-shqiptar të Zogut më 1926-n, si dhe shpalljen e Zogut si Mbret i Shqipërisë më 1928-n, duke thënë se “për një kurorë mbretërore ai e shiti vendin dhe e ktheu Shqipërinë në koloni italiane”.
Në një farë mënyre, Noli parashikoi dhe paralajmëroi okupimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.

Pas falimentimit politik në Shqipëri, Noli duket se humbi edhe miqësinë me Konicën, të cilin dikur e adhuronte si mësuesin e tij dhe veten e shihte si nxënës. Bibliografi i tij, Prof. Jorgaqi, sjell ftohjen e miqve dhe afrimin e Konicës me Zogun.

Pasi u arratis Noli, Konica u distancua dhe filloi të shfrytëzojë gazetën “Dielli” për të lëvduar Zogun, duke harruar të gjitha të zezat që kish thënë e shkruar për të, duke mos kursyer as fjalët e rënda. Ishte po ai Konicë që dikur e kishte epitetuar si “gjarpër, malok e njeri me mendësi tipike orientale”.

Miqtë e dikurshëm u bënë për ca kohë armiq të betuar. Konica nuk përjashtohej nga armiqtë e shumtë të peshkopit të “Kuq”, duke e akuzuar atë si “bolshevik”. Nga ana e tij, dhe Noli nuk mbeti pas bashkëthemeluesit të “Vatrës” në sharje. Ai e denoncoi Konicën si “njeri i intrigave dhe i ziafeteve, shërbëtor dhe servil i Zogut”.

Lufta vazhdoi jo pak, por për rreth 12 vjet. Pajtimi erdhi më 1937-n. Pas vdekjes së Konicës, Noli nuk pushoi së lëvduari mikun e tij dhe u përpoq që t’ia plotësonte amanetin e lënë, që t’ia dërgonte trupin në Shqipëri, pavarësisht se nuk mundi, për shkak të refuzimit të shtetit komunist.

Pas kthimit nga arratia në SHBA, Noli mblodhi mendjen dhe i pa më me nge gabimet e veta në politikë dhe avantazhet e mbretit Zog dhe e uli tehun e kritikave ndaj kundërshtarit.

Veçanërisht, pas ikjes së Mbretit në mërgim, Noli u bë më i butë ndaj kundërshtarit të dikurshëm, më i arsyeshëm dhe e uli kamxhikun e satirave të veta të hidhta. Jo vetëm kaq, por ia njohu meritat dhe avantazhet shtetbërëse kundërshtarit. Madje, kur Mbreti i kishte ofruar një ndihmë financiare, Noli nuk e kishte kundërshtuar, aq më shumë që shëndeti i tij ishte në rrezik. Prof. Jorgaqi e ka sjellë me këto penalata portretin e kundërshtarit të Nolit:

“Zogu ishte njeri i veprimit dhe jo i fjalëve. I mungonte elokuenca, rrinte i heshtur si sfinks. Ishte i zgjuar dhe dinak, trim dhe oportunist, i egër, realist dhe pragmatist i paskrupullt, konseguent në synimet e veta dhe dyshues i përhershëm.

Këtyre cilësive u shtoheshin dhe aftësia e shquar organizative dhe ushtarake, vetëbesimi në forcat e veta, intuita e rrallë dhe njohja e gjithanshme e psikologjisë shqiptare”.

Edhe kur në mërgatën shqiptare lëvizi një formulë për të formuar një qeveri në egzil në vitet e Luftës së Dytë Botërore, përballë rrezikut të copëtimit të Shqipërisë nga fqinjët e babëzitur, veçanërisht nga grekët në jug, Noli ishte i një mendjeje me shumë të tjerë, se i përshtatshëm për ta kryesuar një qeveri të tillë do të ishte Ahmet Zogu. U tërhoq nga kjo ide, kur Enver Hoxha mori pushtetin.

Kur vatranët shkuan në Francë për t’i kërkuar ndihmë Mbretit Zog

Në fund të viteve ‘50 të shekullit të kaluar, “Vatra” po kalonte vështirësi të mëdha. Në kushtet e një rreziku për të mbyllë dyert, Anthony Athanas dhe kushëriri i tij, Kristo Athanas, që njihej për bindje nacionaliste, duke mos gjetur rrugëdalje tjetër, marrin rrugën dhe shkojnë në Paris për të kërkuar ndihmën e shtetit shqiptar përmes Ambasadës Shqiptare atje.

Deri atëherë, Federata Panshqiptare “Vatra”, i kishte bërë shërbime shtetit komunist të Enver Hoxhës, duke menduar se ndihma i jepej atdheut dhe popullit shqiptar. Vetë Noli kishte pritë e përcjellë të dërguarit e Enver Hoxhës dhe i kishte ndihmuar ata pa u kursyer. Kjo, natyrisht që i nxori probleme atij me shtetin amerikan.

Është bërë i njohur fakti se, për këtë qëllim, zyrtarët e FBI-së e thirrën në raport peshkop Nolin, i cili iu nënshtrua pyetjeve për ndihmën që u kishte dhënë komunistëve të Enver Hoxhës. Por, kriza e Nolit me Amerikën kaloi shpejt, ndërsa “koha e mjaltit” me qeverinë e Enver Hoxhës përfundoi që në vitin 1959, kur “Vatra” u hapi dyert kundërshtarëve të Enverit, ballistëve dhe zogistëve.

Nuk është e vërtetë se gjithçka mes tij dhe të dërguarve të Enver Hoxhës shkonte si në vaj. Është e njohur grindja e Nolit me Tuk Jakovën. Mendjemadhësia, inkompetenca dhe arroganca e Tukut, e bënë Nolin që t’i shkruante Enver Hoxhës, duke iu ankuar se e kishte të vështirë që të merrej vesh me këtë lloj emisari, që nuk fliste as anglisht, as shqip mirë.

Koha tregoi se regjimi i Enver Hoxhës ia kishte me hile peshkopit; përderisa edhe shokët, bashkëpunëtorët e Nolit, ose i çoi në plumb, ose i burgosi, ai ia shpërbleu Nolit në mënyrën më të keqe shërbimet e shumta. Kështu ndodhi me ish-editorin për shumë vite të gazetës “Dielli”, kunatin e Enver Hoxhës, Bahri Omarin, që, pa marrë parasysh lidhjet dhe detyrimet familjare, e çoi para skuadrës së pushkatimit.

Por, nuk pati fat më të mirë as patrioti Kristo Kirka, një ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Nolit, deputet i njëkohshëm me Nolin, mbështetës i peshkopit në themelimin e Kishës Autoqefale Shqiptare, vatran i dorës së parë, bashkëthemelues i “Vatra”-s, Kryetar i “Vatrës” e menaxher i “Dielli”-t, ish-nën/prefekt i Himarës, që u tregoi vendin grekomanëve; këtij atdhetari, patriotizmi iu konvertua me burgosje, e mbetje pa varr.

Vdiq në burg të Burrelit. Fat të përafërt patën dhe vatranët e tjerë, si Kolë Tromara me shokë. Noli nuk pati fuqi që të shpëtonte nga gijotina miqtë dhe bashkëpunëtorët e vet të ngushtë.

Duke i lënë mënjanë të gjitha këto, kushërinjtë, Anthony dhe Kristo Athanas, provuan që të trokisnin në dyert e Ambasadës Shqiptare në Paris, për t’i shtrirë dorën e bashkëpunimit qeverisë komuniste.

Nuk dihet nëse ka pasur dijeni Noli për këtë udhëtim të athanasëve apo jo; vështirë të mendosh se skenari është hartuar pas shpinës së tij, ka zëra që pranojnë se trokitja në Paris e Kanë ka marrë më parë bekimin e Nolit. Madje, ka pas dy plane; Plani A, nëse pranonte Ambasada Shqiptare, eliminonte planin B, trokitje tek Mbreti.

Arsyeja e këtij plani qëndron në faktin se Noli kishte probleme të rënda me kundërshtarët brenda kishës dhe po rrezikohej autoqefalia e kishës dhe froni i tij. Siç tregojnë vatranët e asaj kohe, këmbëngulja për ta kërkuar ndihmën e qeverisë së Enver Hoxhës përmes ambasadës në Paris, ishte e Anthony-t, i cili ishte një nga dishepujt e Nolit.

Anthony shpresonte se qeveria do t’ia jepte dorën “Vatra”-s, e cila kishte bërë aq shumë për Shqipërinë. Pritja në ambasadë qe e ftohtë akull.

Refuzimi kishte qenë i prerë: “Nuk mund të merremi më një shoqatë që vepron në një shtet imperialist dhe po fut në radhët e veta tradhtarët e popullit shqiptar dhe bashkëpunëtorë me okupatorët”.

Siç tregon Hajdar Tonuzi, ish-Kryetar i “Vatra”-s, vatran prej 45 vitesh, i cili atë kohë ishte emigrant në Francë, dy kushërinjtë Athanasi, të pezmatuar nga refuzimi, ishin inatosur kur kishin ndjerë përplasjen e zhurmshme të dyerve pas shpinës së tyre. Ç’të bënin? Anthony kishte mbledhur shpatullat. Kristo kishte shtruar Planin B: Po sikur të shkonim një herë në Kanë dhe të bisedonim me Mbretin?

S’kishin ç’humbnin. Kishin marrë rrugën për në Kanë dhe kishin kërkuar takim pranë Oborrit Mbretëror. Mbreti kishte pranuar me shumë përzemërsi dhe i kishte pritur në mënyrë ceremoniale pranë Oborrit Mbretëror.

Kur athanasët i kishin parashtruar kërkesën e tyre që të ndihmohej “Vatra”, Mbreti kishte pranuar, por u kishte kërkuar që ata të hapnin dyert e “Vatra”-s për legalistët, në mënyrë që të ndihmonin dhe gjallëronin “Vatra”-n.

Athanasët, të gëzuar që u realizua Plani B, e ftuan Mbretin që, kur të festohej 50-vjetori i “Vatra”-s, do të ishin të nderuar që ta kishin mysafir të parë në Boston, por kjo nuk u realizua, për shkak të sëmundjes dhe vdekjes së Zogut me 9 prill 1961, ndërkohë që përvjetori i 50-të i takonte 28 prillit 1962, një vit më vonë.

Në një qarkore të lëshuar nga Oborri Mbretëror, pas ikjes së vizitorëve, udhëzoheshin legalistët që t’i bashkëngjiteshin “Vatra”-s dhe ta ndihmonin atë. Pas kësaj, shumë legalistë u bënë jo vetëm anëtarë të “Vatra”-s, por edhe donatorë të saj.

Add comment

Fill out the form below to add your own comments

User data





Add your comment