Wednesday, October 14, 2009
Sali Berisha dhe Ilir Meta: Te mos falesh detin Greqise do te thote te jesh rracist
balkanweb.com
TIRANE- Zv kryeministri dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm i Shqipërisë reagoi sot për marrëveshjen për kufijtë detarë me Greqinë.
Ilir Meta, i cili do të mbrojë këtë marrëveshje para deputeteve në seancën e 19 tetorit, fton krytarin e PS-së të jetë në Parlamet për të njohur më mirë dhe më saktë marrëveshjen.
Mbrëmë, pas mbledhjes së kryesisë PS-së Rama deklaroi se kishte vendosur të ngrinte një grup ekspertësh për shqyrtimin në themel të cështjes.
Ky vendim është cilësuar si “qëndrim ksenofob” nga Ministri i Jashtëm Ilir Meta, njëkohësisht dhe kryetar i LSI-së.
Meta i bëri thirrje Ramës të heqë dorë nga qëndrimet ekstremiste, pasi dëmtojnë imazhin e vendit dhe nuk ndihmojnë PS-në.
“Ftoj në mënyrë të vecantë kryetarin e PS por edhe përfaqësues të tjerë të opozitës të heqin dore nga frymezimet ksenofobe apo ekstremiste.”
Në cilësinë e “mbrojtësit” të kësaj marrëveshjeje të firmosur nga ish- minsitri i Jashtëm, Lulzim Basha dhe ministrja e Jashtme greke Dora Bakojanis në prill të 2009, Meta u shpreh i bindur se cdo shqetësim do të marrë përgjigje para ratifikimit të marrëevshjes
“Unë dua të siguroj që të gjithë se ekspertët kanë punuar me përgjegjësi maksimale në respekt të Kushtetutës dhe të konventave ndërkombetare ku Shqipëria është palë. Jam i bindur se të gjitha këto spekulli, dhe falsifikime, apo dhe shqetesime do të marrin përgjigjet e tyre në mënyrë transparente në Kuvendin e Shqipërisë, para se marrëveshja të ratifikohet. “- deklaroi Meta në një prononcim për shtyp jashtë godinës së ministrisë së Jashtme.
Zoti Meta përsëriti kërkesën që opozita të kthehet në Parlament, dhe të kontribuojë në transparencën e cështjes.
Kuvendi është vendi i duhur ku zgjidhet cdo cështje” theksoi Meta në një prononcim për shtyp jashtë godinës së ministrisë së Jashtme duke shtuar “Është e drejta e cilitdo që ka ikur nga puna të thotë cfare të dojë, sepse ne jemi vend demokratik, por opozita i ka të gjitha mundësitë institucionale për të ngritur shqetësimet e saj dhe për të kontribuar në transparencën e cështjes”
Në bazë të kësaj marrëevshjeje Shqipëria i dhuron 354. 4 km 2 sipërfaqe ujore në detin Jon, konkretisht në kanaline Otrantos.
Nëpërmet një studimi prej 117 faqesh të kolonel Pashaj, e publikuar eksklzivisht ne GSH, vërtetohej se nga kjo marrëveshje cenohej rëndë sovraniteti territorial i Republikës së Shqipërisë.
Një ditë më parë “Gazeta Shqiptare” zbardhi faktin se synimi strategjik i Greqisë për të hyrë në Kanalin e Otrantos në bazë të marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar me Shqipërinë, lidhej pikërisht me ndërtimin e gazsjellësit “South Stream”
Nga kjo marrëveshje Shqipëria nuk përfshihet në projektin e gazsjellësit që financohet nga gjiganti rus “Gazprom”, rreth 2.5 miliardë kilovat orë gaz në vit.
Në një prononcim të djeshëm deputeti i PS-së, Pandeli Majko i bëri thirrje Presidentit të thërrasë Këshillin e Sigurimit, të kërkojë informacione, “pasi kjo çështje nuk mund të qëndrojë vetëm në nivelin mediatik. Kufijtë e shtetit shqiptar nuk janë as të Partisë Socialiste, dhe as të Partisë Demokratike”
“Gazeta Shqiptare” ka qenë e para media në vendin tonë që arriti të zbardhë qysh në 26 prill 2009 faktin tronditës që fshihet në marrëveshjen shqiptaro-greke “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që i përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.