Wednesday, October 14, 2009
Ja turqit ne Shqiperi: Terroristi Artan Kristo (Muhamed Abdullah) Tirane-Durres-Kavaje : Ja si prishet imazhi i shqiperise
Po buxhasin media ne Bote : Kapet terroristi islamik ne Shqiperi
12/10/2009 Balkanweb
DURRES- Arrestohet në Durrës përmes një operacioni të uniformave blu të kryeqytetit, Artan Kristo, menjëherë pas dhënies së masës së sigurisë për të nga gjykata.
Gjykata e Tiranës dha vendimin arrest me burg për Kriston nën akuzën e nxitjes së veprave terroriste, pas një procedimi penal të kryer nga Prokuroria e Përgjithshme. Madje organi qëndror i akuzës publikoi më vonë dhe një faqe interneti që përdoret nga besimtarët myslimanë, përmes së cilës Kristo bënte thirrje dhe nxiste vepra terroriste.
Në një mesazh në këtë faqe lexohet qartë shprehja se “Bin Laden është Muxhahid i madh”. Shprehja është e shkruar me pseudonimin Muhamed Abdullai me të cilin Kristo njihej që në vitin 2004.
Sipas një njoftimi të Prokurorisë së Përgjithshme hetimet e këtij procedimi penal janë kryer nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kanë nisur rreth dy muaj më parë.
Për këtë janë shfrytëzuar një numër i madh mjetesh për kërkimin e provës, përfshi dhe ato karakterit teknik. Sipas njoftimit të Prokurorisë ka të dhëna të mjaftueshme që shtetasi Artan Kristo ka kryer vepën penale të nxitjes dhe propagandës me qëllime terroriste.
E kaluara e Artan Kristos lë shumë dyshime dhe enigma. Ai njihet ndryshe edhe si Muhamed Abdullah dhe ka rënë në sy që në vitin 2002 për një marëdhënie të acaruar me Salih Tivarin, ish sekretarin e Komuinitetit Mysliman, i cili u ezkekutua në zyrën e tij.
Kristo, një besimtar që bënte pjesë te rryma radikale, dy vite para vrasjes së sekretarit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman ishte emëruar përfaqësues i fondacionit “Al Haramain”, në Shqipëri. Fondacioni, i cili me vendim të qeverisë shqiptare të vitit 2004, hyri në listën e financuesve të terrorizmit, kishte kërkuar dhjetëra herë të realizonte investime në Shqipëri. Por me një kusht: që paratë të depozitoheshin në arkën e Komunitetit Mysliman dhe më pas të investoheshin si financime të këtij institucioni. Salih Tivari e kishte kundërshtuar këtë veprim.
Ndërkohë Artan Kristo kishte marrë miratim nga zyrtarë të tjerë të Komunitetit Mysliman, me të cilët shkon në zyrën e Tivarit.
Dy dëshmi janë administruar nga Prokuroria. Në to thuhet se Artan Kristo dhe Salih Tivari kanë shkëmbyer fjalë të rënda dhe kërcënime në zyrë, në praninë e një zyrtari tjetër të lartë të Komunitetit Mysliman. Pak muaj para vrasjes së Tivarit, në një mbledhje në xhaminë e Durrësit, ndodhi edhe konfrontimi. Teksa Tivari po mbante fjalën e tij, Artan Kristo me një person që, sipas policisë, mbante inicialet G.D, dalin demonstrativisht nga xhamia, mbyllin derën dhe mbajnë pjesëmarrësit peng përgjatë katër orëve, deri në ndërhyrjen e forcave të policisë.
Artan Kristo ishte një ndër të dyshuarit për vrsjen e Tivarit madje policia e mbajti në arrest për dy ditë dhe më pas e liroi për mungesë provash.
——————————————————————–
Shekull.com.al
Prokuroria, ka sekuestruar në banesën e Muhamed Abdullah, kompjuterët dhe materiale të tjera që pretendohet se provokojnë terrorizëm
Specialistët e antiterrorist, bllokuan si provë materiale dhe shkresore një pjesë të materialeve dhe mjeteve të përdorura nga i arrestuari
TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit sekuestroi një lumë shkresash materiale, kompjuterin personal dhe atë të punës, që prej kohësh i përdorte i dyshuari për “Nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, Artan Kristo, i njohur edhe me emrin e teologut Muhamed Abdulla.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës dhe zyrës së Antiterrorit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
“Zyra e Antiterrorit me urdhër të zv/drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës, prokurorit Genci Qano, sekuestruan një sërë materialesh shkresore në cilësinë e provave materiale si dhe dy kompjuterë (atë personal dhe që që përdorej në zyrë) në pronësi të Artan Kristos, që ka ndryshuar emrin në Muhamed Abdullah.
Disa prej materialeve dhe kompjuterët e tij janë gjetur dhe sekuestruar në banesën e të arrestuarit në qytetin bregdetar të Durrësit si dhe në zyrën e punës, nga ku drejtonte faqen zyrtare të internetit “Albselefet”, ku ishte edhe moderator i saj, bashkë me disa vullnetarë të tjerë”,-thuhet nga burimet e akuzës. Besimtarët e tij mësohet se janë përfaqësues të rrymës së tij ekstremiste të Vehabistëve, ose të njohur ndryshe të Selefëve.
Sipas prokurorisë, me anë të kësaj faqeje interneti, moderatori i saj Kristo, alias Abdullai, i ka lejuar vetes të bëjë thirrje publike për akte-terroriste, duke lejuar gjithashtu edhe komentues të ndryshëm të propagandojnë për kryerjen e veprave terroriste në vend.
“Nga hetimet tremujore, është arritur të provohet se Artan Kristo i njohur në rrethin e tij shoqëror edhe si imami Muhamed Abdullai, prej kohësh kishte hapur një faqe interneti me adresë www.albselefet.net, dhe ishte administrator i kësaj faqeje dhe moderator gjithashtu.
Në këtë faqe bëhej shpesh thirrje publike kundër terrorizmit, por kishte edhe nga ata persona apo komentues të cilët bënin thirrje dhe nxisnin lexuesit që të kryejnë akte terroriste edhe në Shqipëri. Për këto fakte dhe të tjera prova të gjetura dhe administruar në dosje, prokuroria ka kërkuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për imamin Abdullai.
Pas këtij vendimi të gjykatës në mungesë, policia ka ekzekutuar vendimin dy ditë më parë duke e arrestuar pranë banesës së një miku të tij në Durrës”,- thuhet nga burimet e akuzës. Sipas këtyre burimeve, pas arrestimit të tij është urdhëruar kontrolli i banesës dhe zyrës ku ai kalonte një pjesë të mirë të ditës, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sërë dokumentesh të ndryshme dhe dy kompjuterë, një statik dhe një portativ (laptop).
“Të gjitha këto materiale të sekuestruara, do t’i nënshtrohen këqyrjes si dhe do të verifikohen të gjitha materialet e gjetura në memorjen e kompjuterëve dhe letër-këmbimet e kryera mes tij dhe personave të tjerë që do të verifikohen për veprimtarinë e tyre. Gjithashtu, mësohet se brenda serverëve të këtyre kompjuterëve ndodhen edhe kërcënimet dhe thirrjet për kryerjen e akteve terroriste të thëna nga i arrestuari Abdullai”,-thuhet nga prokuroria.
Reagojnë Albselefët: kemi bërë thirrje kundër terrorizmit
Reagon pasditen e djeshme stafi i forumit të faqes së internetit www.albselefet.net kanë botuar një deklaratë, ku hedhin poshtë pretendimet e ngritura në media nga prokuroria, duke shtuar se “faqja internetit që modelohej nga imami Abdullai ka publikuar vetëm komente dhe shkrime kundër terrorizimit dhe vetë celulës së saj Al-Kaeda”.
Ndërsa, sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, mësohet se më 27 gusht 2009, prokuroria e kryeqytetit ka regjistruar procedimin penal të “Nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” në ngarkim të shtetasit Artan Kristo, me banim në rrethin e Durrësit. “Hetimet e këtij procedimi penal janë kryer nga Prokuroria e Tiranës dhe për hetimin sa më të plotë të çështjes, janë shfrytëzuar një numër i madh mjetesh për kërkimin e provës, përfshi dhe ato të karakterit teknik.
Deri në këtë fazë të hetimit, në një analizë të të gjithë të dhënave të grumbulluara, është konkluduar se ka të dhëna të mjaftueshme që shtetasi Artan Kristo ka kryer veprat penale të mësipërme”,-thuhet në njoftimin zyrtar të kryeprokurores Ina Rama, që nëse deklarohet fajtor për këto akuza, imami Abdullai rrezikon dënimin nga 4 deri 10 vjet burg. Pak muaj më parë emisioni “Fiks-Fare” e denoncoi publikisht imamin Abdullai për mashtrim, pasi shtirej si mjek popullor në shtëpinë e tij në Shkozet të Durrësit.
AKUZA
Neni 232/a i Kodit Penal
“Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”
Nxitja, thirrja publike, shpërndarja e shkrimeve ose propaganda në forma të tjera, që synon mbështetjen ose kryerjen e një apo më shumë veprave për qëllime terroriste dhe për financimin e terrorizmit, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim nga katër deri në dhjetë vjet.
————————————————————————–
top-channel.tv
Telefonatat për politikanë të huaj “kryqëzuan” Kriston
Grupi hetimor zbardh disa përgjime, ku ekziston togfjalëshi “t‘i zhdukim”
Për Artan Kriston ekzistojnë edhe një sërë përgjimesh telefonike që e implikojnë hoxhën për nxitje të terrorizmit. Telefonata është regjistruar rreth dy muaj më parë, ku është përdorur togfjalëshi “t‘i zhdukim”. Ndërkaq, në telefonatat e përgjuara me vendim të gjykatës ka edhe një sërë elementesh të tjera, që sjellin më shumë fakte për dyshimet rreth Kristos. Aty përmenden disa politikanë të huaj, që sipas të dhënave nga grupi hetimor vijnë shpesh në vendin tonë.
Burimet e policisë së kryeqytetit bënë të ditur se specialistët e seksionit kundër akteve terroriste, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, kryen ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, të datës 12 tetor 2009, e cila ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, për shtetasin Artan Pëllumb Kristo, 31 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Durrës. Sipas të dhënave, ai u kap në shtëpinë e tij, që e kishte kthyer si xhami, teksa falej me tre miq. Arrestimi i tij ka ardhur pas një hetimi dymujor mes policisë, SHISH-it dhe prokurorisë. Policia tha se informacioni i parë për të ka ardhur nga disa besimtarë dhe nuk është nënvlerësuar nga ana e tyre, por menjëherë ata, të mbështetur edhe nga agjentët e SHISH-it, si dhe duke parë interesimin e strukturave të shërbimeve amerikane, kanë vendosur që të lokalizojnë, survejojnë dhe përgjojnë shtetasin e sipërcituar. Në dispozicion të këtij gjurmimi janë vënë agjentët më të mirë të shërbimeve hetimore, të cilët me dy automjete tip fuoristradë kanë kontrolluar të gjitha lëvizjet që bënte Artan Kristo në qytetin e Durrësit, Kavajës dhe Tiranës. Gjithashtu, numri i tij i telefonit është vënë në përgjim dhe aty është kapur nga ana e specialistëve një togfjalësh dyshues. Në një nga telefonatat, është përdorur fraza “t‘i zhdukim” dhe kjo ka sjellë edhe më shumë dyshime për grupin hetimor. Gjithashtu, duke vijuar me telefonatat e tjera ka rezultuar se Kristo, me bashkëbiseduesit e tij, fliste për disa politikanë të huaj që vizitonin shpesh Shqipërinë. Grupi hetimor nuk i ka publikuar këta emra, pasi përbëjnë tepër sekret, por shprehet i bindur se ka fakte të forta për të mbajtur brenda Kriston. Gjatë arrestimit të tij janë kryer një sërë kontrollesh në qytetin e Durrësit dhe Kavajës, por arrestimi i Artan Kristos është kryer rreth orës 16.30. Policia, e ndarë në dy skuadra, veproi menjëherë, ku grupi i parë shkoi në banesën e Kristos, ndërsa skuadra e dytë shkoi në xhaminë-shtëpi, ku katër myslimanë faleshin në dhomën prej 25 metrash katrorë që kishin marrë me qira prapa Gjykatës së Apelit në qytetin bregdetar. I transformuar tërësisht, Kristo kishte shtuar shumë kilogramë, aq sa ekspertët që kishin “pasur punë” disa herë në të shkuarën me të, nuk e njohën. Me një pamje të zbehtë, i bardhë në fytyrë, Artan Kristo nuk bëri ndonjë rezistencë ndaj policisë. Pasi dëgjoi akuzën, tha njëherë “jo, skam bërë gjë” e më pas nxori celularin. Për të mbrojtur të drejtat e tij, ai ka kërkuar të merret në pyetje në prani të një avokati. Gjithashtu, ai ka kërkuar të marrë me vete edhe ilaçet që mbante në sirtar. Ndërkaq, grupi hetimor nuk ka deklaruar detaje të tjera të hetimit, por, sipas tyre, edhe disa persona të tjerë ende mbahen nën vëzhgim dhe dyshohet se janë të lidhur me aktivitetin terrorist, për të cilin dyshohet edhe Kristo.
——————————————————————————-
Prokuroria, misteret e të dyshuarit Kristo
Historia
Njeriu që njihet ndryshe edhe si Muhamed Abdullah ka rënë në sy që në vitin 2002 për një raport të acaruar me Salih Tivarin. Artan Kristo, një besimtar i devotshëm që bënte pjesë te rryma radikale, dy vite para vrasjes së sekretarit të përgjithshëm të Komunitetit Mysliman ishte emëruar përfaqësues i fondacionit “Al Haramain” në Shqipëri. Fondacioni, i cili me vendim të qeverisë shqiptare të vitit 2004 hyri në listën e financuesve të terrorizmit, kishte kërkuar dhjetëra herë të realizonte investime në Shqipëri, por me një kusht: që paratë të depozitoheshin në arkën e Komunitetit Mysliman dhe më pas të investoheshin si financime të këtij institucioni. Salih Tivari e kishte kundërshtuar këtë veprim. Ndërkohë, Artan Kristo kishte marrë miratim nga zyrtarë të tjerë të Komunitetit Mysliman, me të cilët shkon në zyrën e Tivarit. Dy dëshmi janë administruar nga prokuroria. Në to thuhet se Artan Kristo dhe Salih Tivari kanë shkëmbyer fjalë të rënda dhe kërcënime në zyrë, në praninë e një zyrtari tjetër të lartë të Komunitetit Mysliman. Të paktën tri letra të dërguara nga Komuniteti Mysliman në adresë të “Al Haramain” tregojnë, sipas prokurorisë, “kërcënimet” me të cilat përballej Salih Tivari, që duhej të pranonte financimet.