Sunday, October 18, 2009

Turqit ne SHqiperi: Duam universitetin islamik

Keta plehra duan te na bejne si Irani: Pasojat i vuajne shqiptaret me etni shqiptare, nuk hyjme ne evrope, nuk na heqin vizat

————————————-

shekulli.com.al

Elvis Naçi, imam i Xhamisë së Tabakëve tregon se drejtuesit aktualë të myslimanëve nuk po mund të shmangin rrezikun

Komuniteti Mysliman Shqiptar, nuk ka mundur të kontrollojë ata që janë shkolluar jashtë, duke mos shmangur edhe ndikime të rrymave ekstremiste
Elvis Naçi, imami i Xhamisë së Tabakëve, një nga përfaqësuesit më të njohur të Myftinisë së Tiranës, i njohur për debatin me krerët e Komunitetit Mysliman, për mënyrën e rizgjedhjes së tyre në krye të KMSH-s, si dhe për mënyrën e drejtimit të Institucionit nga këta të fundit, ka reaguar pas arrestimit të Artan Kristos, nga Prokuroria e Tiranës me akuzën e nxitjes dhe propagandës për kryerjen e veprimeve terroriste.

Kristo u ndalua nga policia të hënën në banesën e tij në Durrës, pasi kishte siguruar si prova disa shkrime në një forum në internet të drejtuar prej tij, në të cilat sipas prokurorisë propagandohej dhe nxitej nga Kristo kryerja e akteve dhe veprave terroriste, për Xhihad (Lufta e Shenjtë). Sipas Naçit, drejtësia duhet të thotë fjalën e vet në lidhje me rastin konkret, atë të arrestimit të Artan Kristos i njohur edhe me emrin e tij fetar Muhamed Abdullah.

Sipas Naçit, duhet pranuar se në disa rast ka pasur edhe shfaqje apo tendenca të elementëve ekstremistë që mund të dëmtojnë imazhim e mirë të Shqipërisë. Ai thotë se kjo ka ardhur si pasojë e mosmenaxhimit të saktë të atyre studentëve shqiptarë që kanë kryer studimet teologjike jashtë vendit ku edhe mund të kenë rënë në kontakt me materiale apo elementë me tendenca ekstremiste.

A jeni njohur me arrestimin e kryer nga prokuroria të Artan Kristos dhe si i vlerësoni veprimet për të cilat akuzohet ai, duke qenë se jeni një prej imamëve të një prej xhamive më kryesore në Tiranë dhe në vend ?

Jam informuar nëpërmjet mediave për këtë rast. Pa dyshim që besoj se si unë dhe shumë klerikë të tjerë myslimanë i vlerësojnë këto veprime si antiislame dhe në të njëjtën kohë si antiligjore e antikushtetuese.

Duke sqaruar fenomenin e nxitjes për ekstremizëm mendoj se nuk ka dëm më të madh për besimin islam në tërësi dhe për popullin shqiptar në veçanti, se sa të ketë tendenca qoftë dhe me mendime për të nxitur dhe provokuar njerëzit ose besimtarët për veprime ekstreme ose mendime të po këtij lloji.

Gjatë gjithë kësaj kohe që kam qenë dhe jam Imam në Xhaminë e Tabakëve, shpesh herë kam trajtuar tematika në lidhje me parimet bazë të fesë islame, që janë paqja, mëshira, drejtësia, humanizmi altruizmi etj.

Besoj se kjo duhet të jetë detyra e çdo teologu në Shqipëri. Duke jetuar në epokën e globalizmit dhe të informacionit pa kufi, normalisht që edhe besimtarët myslimanë ka raste që informohen me mendime ekstreme që vijnë nga sekte të ndryshme apo nga njerëz që spekullojnë me emrin e Islamit.

Është detyra jonë, si drejtues të këtyre besimtarëve t’i sqarojmë ata sa më mirë dhe sa më qartë për parimet universale islame që i përmendëm pak më lart.

Të them të drejtën unë e kam njohur pak Artanin dhe kam pasur rastin të bisedoj me të. Nga bisedat që kam pasur nuk më ka lënë shije të tilla me tendenca ekstremiste. Ndaj një veprim i tillë i prokurorisë dhe policisë më ka çuditur. Por siç e thashë më lart uroj që drejtësia të thotë fjalën e saj.

Në lidhje me të arrestuarin Artan Kristo, prokuroria thotë se ka gjetur prova konkrete që e implikojnë atë në thirrje për kryerjen e veprave me karakter terrorist, në një faqe interneti. Si e vlerësoni ju një ngjarje të tillë ?

Është e padiskutueshme që një rast i tillë, nëse ka ndodhur vërtet, nuk identifikon dhe përfshin myslimanët në Shqipëri. Pa dashur të flas për personin në fjalë, për shkak se verdiktin përfundimtar do ta japë gjykata, mendoj se çdokush që nxit njerëzit për vepra me karakter terrorist, përveç një gjykimi nga organet e drejtësisë, duhet të merren masa nga komuniteti mysliman që këta njerëz të mos jenë pjesë e gjirit dhe e bashkësisë së tyre. Kjo duke i larguar ata nga forumet, apo strukturat e komunitetit mysliman e duke i denoncuar më pas në organet përkatëse.

Vlerësimi i im në raste të tilla, nëse veprime të tilla të pandehura janë të vërteta, përveç se janë shumë të dëmshme për vetë komunitetin mysliman dhe për në të njëjtën kohë krijojnë një imazh jo të mirë për vendin tonë, përballë sfidave që ne kemi përpara.

Çdo teolog duhet të jetë shumë përgjegjës për rolin që ka duke kuptuar aktualitetin në të cilin jeton, duke u munduar të shërojë sa më shumë plagë të asaj shoqërie të cilës i përket. Këtu kam parasysh shumë probleme sociale me të cilat ndeshemi përditë.

Ndër to janë, vrasja vetëvrasja, droga, prostitucioni, vjedhja, kumari, apo edhe mungesa e një solidariteti dhe humanizmi mes njerëzve. Në ditët tona po shikojmë një ftohje mes njerëzve e deri tek marrëdhënia prindër- fëmijë. Mendoj se këto janë sfidat e vërteta të Komunitetit Mysliman në përgjithësi dhe të çdo teologu në veçanti.

Cili ka qenë reagimi i besimtarëve pas kësaj ngjarjeje ?

Gjithsecili prej besimtarëve që frekuentojnë xhaminë dhe çdo besimtar tjetër mysliman kudo në vend, e vlerëson si të dënueshëm fenomenin e ekstremizmit dhe të terrorizmit. Duke qenë të vetëdijshëm se feja që ata përfaqësojnë është e kundërta e ekstremizmit dhe terrorizmit, të gjithë besimtarët janë të mendimit që kjo çështje të gjykohet me drejtësi.

Do t’i bëja dhe një apel shtetit shqiptar që të jetë më vigjilent ndaj fenomeneve të tilla dhe shkaqeve që i sjellin këto fenomene sepse çdo fe dhe çdo ideologji ka brenda saj njerëz me tendenca ekstreme. Por ne duhet të mundohemi me të gjitha mundësitë tona që këtë fenomen mos ta lejojmë në vendin tonë.

E theksoj këtë, megjithëse aktualisht nuk kemi gjëra konkrete në lidhje me ekstremizmin por duhet të merren masa që ky fenomen të parandalohet, pasi dihet që është më mirë të parandalosh diçka para se të ndodhë.

Si mendoni se kanë ardhur këto mendime dhe janë kultivuar tek persona të tillë, sipas jush ?

Një nga shkaqet kryesore është edhe një mosmenaxhim i Komunitetit Mysliman në të kaluarën në raport me studentë që kanë studiuar Teologji Islame në vende të ndryshme. Kjo ka sjellë si rrjedhojë importimin e disa mendimeve që mbi të gjitha bien ndesh me traditën e besimit Islam në Shqipëri.

Për këtë do t’i bëja një apel, drejtuesve të Komunitetit Mysliman dhe shtetit shqiptar, për rakordimin sa më të shpejtë të hapjes së Universitetit Islamik në Shqipëri.

Kjo do të mundësojë që studentët të marrin dijet islame në vendin e tyre dhe të jenë në raport me tolerancën e mrekullueshme fetare që kemi në Shqipëri. Një moment tjetër i rëndësishëm është forcimi i institucionit të Komunitetit Mysliman.

Me këtë nënkuptoj, rritjen e autoritetit të tij në raport me besimtarët. Kjo vjen si rrjedhojë e rritjes së besueshmërisë së drejtuesve dhe përfaqësimit sa më dinjitoz të tyre në raport me parimet e Islamit. Kjo do të sjellë edhe kultivimin e parimeve të drejta tek besimtarët myslimanë.

Ne si drejtues të xhamive që kemi kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit dhe me mendimet e tyre, duke pasur një lidership të besueshëm, puna jonë bëhet më e lehtë.